Thirrje për projekt propozime në fushën e turizmit

Një nga aspektet më kritike të turizmit në Shqipëri është sezoni turistik relativisht i shkurtër. Një turizëm i suksesshëm dhe kualitativ sigurisht varet nga tërheqja e tregut gjatë gjithë vitit. Natyrisht që ka përqendrim të turistëve gjatë sezonit veror por, Shqipëria ka nevojë të njihet si një destinacion për tu vizituar, gjatë gjithë vitit.

Qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, duke inkurajuar zgjerimin e sezonit turistik nëpërmjet promovimit mediatik të produktit turistik vendas, duke diversifikuar produktin turistik me modele inovative, si dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimit nëpërmjet edukimit. Duke pasur parasysh këto objektiva kryesore, thirrja e këtij viti është e ndarë në tri tematika:

1. Promovimi i atraksioneve turistike nëpërmjet aktiviteteve mediatike. Nën këtë tematikë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të bashkë financojë projekte që do të synojnë:
• Rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme.
• Përfshirjen, gjithnjë e më shumë, të komuniteteve lokale në sektorin e turizmit.
• Zhvillimin e marketingut te brendshëm, me synim lidhjen e industrisë së mikpritjes me industri të tjera lokale.

2.Zhvillimi dhe përmirësimi i produkteve turistike specifike, në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, përveç shërbimeve bazë standarde.
Nën këtë tematikë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të bashkë financojë projekte që do të synojnë:
• Zhvillimin e produktit turistik në mënyrë inovative drejt produkteve të interesit të veçantë me synim: argëtimin; shkëmbimin e eksperiencës dhe të të nxënit.
• Zhvillimin e produktit turistik të kërkuar gjatë gjithë vitit, duke kontribuar kështu në diversifikimin e grupeve të synuara (aktivitete të ndryshme me tematikë etnografinë, trashëgiminë kulturore, gastronominë etj)

3. Përmirësimi i cilësisë së shërbimit në industrinë e mikpritjes, duke e konsideruar atë si reklamën më të mirë për cilësinë e turizmit në vend. Nën këtë tematikë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të bashkë financojë projekte që do të synojnë:
• Formim profesional cilësor dhe krijimin e mundësive të nxënies së profesioneve të reja.

Për formularin e aplikimit klikoni këtu

Për më shumë informacion klikoni këtu dhe këtu

Leave a Comment