Thirrje për projekt propozime me Austrinë

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shkencor e Teknologjik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë nënshkruar në 2 Maj 2012, Protokollit të Përbashkët mbajtur në 5.12.2014, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), çel raundin e dytë të thirrjeve për aplikime të përbashkëta kërkimore, tekniko-shkencore, mes Shqipërisë dhe Austrisë. Kjo thirrje do të jetë e hapur prej datës 10.04.2018 deri më 30.05.2018.

Kjo thirrje është e hapur për të gjithë fushat e kërkimit shkencor dhe ndaj të gjithë kërkuesve shkencor. Për referencë: “LIGJI Nr. 80/2015 PËR ARSIMIN E LARTË DHE KËRKIMIN SHKENCOR NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” Të gjithë të interesuarit, janë të lutur të aplikojnë duke mbushur kërkesat dhe formularët e aplikimit, në dokumentacionin bashkëlidhur kësaj thirrje.

Dokumentet do të dorëzohen në versionin hard-copy, pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), brenda afatit të parashikuar në këtë thirrje (10.04.2018 deri më 30.05.2018). Për të gjithë kërkuesit, të cilët kanë qenë pjesë e aplikimeve në raundin e parë dhe të shpallur fitues më 8.04.2015, janë të lutur të aplikojnë sërish, por duke propozuar si partnerë në Austri, drejtues të ndryshëm projektesh nga ata të propozuar në raundin e parë. Në këtë kontekst, kjo thirrje nxit vetëm bashkëpunime dhe partneritete të reja.

Projekt-propozimet fituese, do të financohen për një afat kohor prej dy vitesh, me grante të ndara për secilin vitit, të cilat do të jepen sipas kërkesës dhe në përputhje me tabelën financiare bashkëlidhur në projekt-propozim. Shuma e grantit për secilin vit nuk do të jetë më lartë se 500.000 ALL.

Projekt-propozimi do të përpilohet në shqip dhe në anglisht dhe do të dorëzohet njëkohësisht nga partnerët e projektit në agjencitë dhe shtetet përkatëse. Në Shqipëri projekt-propozimi, do të dorëzohet në tri kopje për secilën gjuhë dhe do të jetë i shoqëruar nga Letra Përcjellëse, e cila firmoset nga titullari i institucionit kërkimor.

Për të tjera informacione, klikoni në këtë LINK

Leave a Comment