Thirrje për aplikime/ Program Lidershipi i financuar në Shqipëri

“LEAD Albania” është një program i ngjashëm me Programin e Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin (angl. White House Fellows Program) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë. Pjesëmarrësve u ofrohet mundësia për të punuar në pozicione të larta në stafet drejtuese të institucioneve shtetërore si Kryeministria, Institucioni i Presidentit, Ministri të ndryshme dhe Bashkia e Tiranës. Përvoja e punës për pjesëmarrësit pasurohet me një komponent trajnimi, ku në një seri seminaresh do të trajtohen tema si integrimi evropian, politikat publike, vendimmarrja, politika e jashtme, politika të sigurisë apo zhvillimi i kompetencave sociale dhe i aftësive të lidershipit. Programi ka si synim që individët e përzgjedhur jo vetëm të mësojnë në pozicionet e tyre, por edhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në produktivitetin, eficiencën dhe novacionin tek institucionet pritëse. Pesë vite më vonë nga zbatimi i suksesshëm i Programit, AADF ka miratuar zgjatjen e tij për një periudhë të dytë 5-vjeçare dhe me një financim prej 3.2 Milion US$, duke perllogaritur një investim total prej 5.7 Milion USD.
Programi mbulon për secilin individ të përgjedhur shpenzimet e lidhura me pagën dhe përfitimet përkatëse, sipas kategorisë së pagave të institucionit ku vendosen. Individët e përzgjedhur nuk lejohen të jenë të punësuar diku tjetër gjatë vitit të angazhimit të tyre në institucionet shtetërore. Si shpërblim për privilegjin e pjesëmarrjes në Program, prej tyre pritet që të zbatojnë atë çfarë kanë mësuar duke kontribuar për kombin si udhëheqës në komunitetet e tyre, në profesionet e zgjedhura të karrierës dhe në sektorin publik. Nga personat e përzgjedhur pritet që të kthehen në angazhimet e tyre të mëparshme ose të ndërmarrin rrugë të reja në karrierën e tyre, duke qenë të pajisur me më shumë përvojë në fushat e politikave publike dhe vendimmarrjes publike dhe më të përgatitur për të kontribuar për çështjet kombëtare, duke përmbushur kështu misionin e Programit.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka hapur aplikimet për Programin “LEAD Albania 2020”.
Kushtet për të aplikuar
Për të aplikuar në Programin “LEAD Albania”, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Aplikantët duhet të jenë nënshtetas shqiptarë (pranohet nënshtetësia e dyfishtë).
- Aplikantët duhet të kenë përfunduar studimet në arsimin e lartë. Përfundimi i studimeve pasuniversitare mund të jetë avantazh i rëndësishëm.
- Aplikantët duhet të kenë një përvojë pune. Preferohet një minimum prej të paktën 5 vitesh. Në rast të studimeve doktorale të përfunduara, minimumi i preferuar është 3 vjet.
- Nuk lejohen të aplikojnë personat, të cilët punojnë aktualisht në institucione të qeverisjes qendrore.
- Nuk ka kufizime moshe. Megjithatë, Programi është krijuar për t’u dhënë aplikantëve të përzgjedhur përvojën e qeverisjes në fazat e para të karrierës së tyre.
Afati i aplikimit: 15 Mars 2019
Për të aplikuar, ju lutemi klikoni në këtë LINK