Thirrje/ Konkurs për video amatore

LevizAlbania është projekti që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave të suksesshme shqiptare: “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë“, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim“ dhe “Co-PLAN“.
Projekti synon të forcojë demokracinë vendore përmes aktivizmit qytetar dhe atij rinor duke gjeneruar nisma dhe ide konkrete që sjellin ndryshim të demokracisë në nivel vendor dhe përmirësojnë qeverisjen lokale.
LevizAlbania do të organizojë gjatë datave 7 – 11 Maj 2018 “Javën e Demokracisë Vendore”. Në Javën e Demokracisë Vendore 2018, LevizAlbania ka planifikuar të zhvillojë një aktivitet dedikuar rritjes së angazhimit të të rinjve në çështje që lidhen me demokracinë vendore dhe përmirësimin e rolit të të rinjve në marrëdhënien me të zgjedhurit vendorë.
Për këtë qëllim do të organizohet një konkurs me video të prodhuara prej të rinjve nga 61 njësitë administrative të vendit, në fokusin e të cilave do të duhet të trajtohen çështje që lidhen drejtpërdrejtë me qeverisjen vendore, performancën e të zgjedhurve vendorë, probleme të komunitetit ku ata jetojnë dhe nevojën për më shumë demokraci vendore të fortë dhe solide.
Videot duhet të jenë amatore dhe të realizuara përmes formave inovative dhe kreative.
Disa nga tematikat e sygjeruara, por jo vetëm:
- Aktivizmi dhe roli i të rinjve në forcimin e komuniteteve lokale;
- Aktivizmi rinor për një qeverisje vendore cilësore;
- Lagjia ime, Qyteti im, Bashkia ime;
- Për një mjedis të pastër përmes aktivizmit rinor;
- Për një administrim cilësor të komunitetit;
- Të rinjtë solidarë ndaj komunitetit, etj.
Në këtë thirrje të hapur ftohen të aplikojnë të gjithë të interesuarit në nivel kombëtar që i përkasin grup-moshës 16-23 vjeç.
Mënyra e Aplikimit:
Aplikuesit duhet të jenë të rinj (individë) ose grupim të rinjsh
Të gjithë të interesuarit duhet të dërgojnë apikimet e tyre:
- Përmes postës elektronike (wetransfer) në info@levizalbania.al
- Ose përmes postës tradicionale me USB/DVD
Qendra LevizAlbania, Pallati “Trema“, Hyrja B, Kati 9, Apartamenti 26, Tiranë, Shqipëri.
Aplikimi duhet të përmbajë:
- Videon e paraqitur për konkurim;
- Letër motivimi dhe prezantimi i aplikantit;
- Kopje e kartës së identitetit (formati JPG ose PDF).
Kriteret e videove:
- Formati: MP4;
- Kohëzgjatja: 60-90 sekonda.
Kriteret dhe forma e vlerësimit:
Aplikimet/videot do të vlerësohen nga një juri e përzgjedhur nga LevizAlbania në përbërjen e të cilës do të jenë aktivistë të shoqërisë civile, regjisorë, gazetarë dhe pedagogë të komunikimit.
Juria do të përzgjedhë 3 (tre) aplikime të kualifikuara/nominuara për secilën nga kategoritë e aplikimit si më poshtë:
- Video e realizuar më mirë;
- Video më e mirë konceptuale;
- Video më e mirë në identifikimin e problematikës/kauzës.
Çmimet dhe fituesit:
Bazuar në përcaktimin e tre kategorive të aplikimit në konkursin e videove, juria do të përzgjedhë një fitues për secilën kategori. Fituesit e secilës prej kategorive do të përfitojnë një aparat/kamera dixhitale.
Më datë 11 Maj 2018, LevizAlbania do të organizojë një ceremoni publike dedikuar shpalljes së fituesve për secilën nga kategoritë e lartshënuara. Tre videot e nominuara për secilën kategori do t‘i paraqiten publikut ditën e aktivitetit dhe fituesi do të përzgjidhet nga juria me votë të fshehtë ditën e eventit.
Videot do të përshihen gjithashtu në galerinë e promovimit në median sociale të projektit @LevizAlbania.
Afatet e aplikimit:
Afati i dorëzimit të aplikimeve është DATA 30 PRILL 2018
Çdo aplikim i mbërritur pas këtij afati nuk do të pranohet.
Vetëm të kualifikuarit për në fazën e dytë do të kontaktohen.
Të drejtat mbi produktin e gjeneruar në kuadër të konkursit janë të projektit LevizALbania.