Shpenzimet e mbuluara nga OSBE/ Akademia Evropiane e Inovacionit në Itali

OSBE hap thirrjen për 18 bursa të paguara plotësisht në Akademinë Evropiane të Inovacionit (EIA), një nga programet më të mira në botë për sipërmarrësit e rinj, studentët dhe të diplomuarit.
Nga data 8 deri në 27 korrik në Torino, finalistët e përzgjedhur nga Ballkani Perëndimor do të jenë pjesë e një mjedisi shumëkulturor me profesionistë dhe mentorë nga institucionet më të larta të botës, duke përfshirë liderët e biznesit nga Amerika, Evropa dhe Azia për të ndihmuar talentet.
Ky program është sponsorizuar nga kryesia italiane e OSBE-së në vitin 2018 në kuadër të projektit YDEAS (Young Developers and Entrepreneurs to Advance Start-ups in the Western Balkans) e menaxhuar nga Zyra e Koordinatorit të Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së (OCEEA).
Nga 3 Maji deri më 4 Qershor 2018 aplikantët nga Ballkani Perëndimor mund të dërgojnë aplikimin e tyre në Akademinë Evropiane të Inovacionit në këtë LINK, duke shkruar titullin e bursës “OSCE scholarship programme“. Gjysma e bursave do u jepen kandidateve femra.
Bursa përfshin programin 15-ditor, mentorimin, sesionet e diskutimit, mjetet, eventet rrjetëzuese, 6 kredite ECTS, udhëtime dhe akomodimin.
Për informacione të mëtejshme ju lutemi kontaktoni me zyrat më të afërta të OSBE-së ose zyrën e degës së RYCO ose dërgoni një email tek YDEAS@osce.org.