Praktikë 3 mujore – Gazetari Mjedisi në Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri

Për herë të parë Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri i ofron një mundësi praktike/stazhi të gjithë të rinjve të sapodiplomuar apo atyre që janë duke ndjekur vitin e fundit të studimeve në degën Gazetari (avantazhues orientimi i karrierës gazetari mjedisi). Kjo është një mundësi shumë e mirë në formimin profesional të gazetarëve të ardhshëm në gërshetimin e disiplinës së gazetarisë dhe mjedisit në zhanrin e hulumtimit dhe hetimit, njohjen me institucionet dhe specialistët e sektorit.
Produktet prej këtij programi do të promovohen në portalin “Mjedisi Sot” http://mjedisisot.info/, në revistën 3-mujore “Mjedisi Sot” dhe faqen zyrtare të REC Shqipëri http://albania.rec.org/. Përpos promovimit dhe përvojës në terren, kjo është një mundësi e mirë për t’u përditësuar me çfarë ndodh me mjedisin në Shqipëri.
REC Shqipëri e konsideron këtë praktikë si kontribut në krijimin e një brezi të formuar gazetarësh në fushën e mjedisit, të pajisur me koncepte mjedisore dhe natyrore. Ky program ofrohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri dhe është konceptuar të zbatohet i orientuar nga produkti duke qenë fleksibël lidhur me oraret e punës dhe njëkohësisht duke vënë në dispozicion të praktikantit të gjitha burimet e zyrës për të punuar aty, përfshirë këtu lidhjen e internetit, kompjuter, librarinë e REC, kontaktet që REC disponon në rastet kur kjo është e nevojshme, si dhe tryeza të rrumbullakëta për shkëmbim idesh dhe eksperiencash midis shoqërisë civile dhe gazetarëve të ardhshëm të mjedisit.
Praktikanti në një periudhë 3 mujore ka detyrimin të ndjekë nga afër aktivitetet e REC jashtë zyre (jashtë qytetit kur është e mundur) me qëllim dokumentimin gazetaresk të tyre.
• Për çdo artikull/intervistë apo kërkesë informacioni në emër të REC, detyrimisht REC duhet të bëhet me dije paraprakisht.
• Përzgjedhja dhe raportimi i çështjeve mjedisore është një proces që kryhet ne konsultim dhe ndjekje të vazhdueshme nga përgjegjësi i programit të praktikës në REC.
Të interesuarit ftohen të aplikojnë duke dërguar (i) Një shprehje interesi për pjesëmarrjen në këtë program; (ii) CV-në në adresënlhysa@rec.org deri më datë 12 Maj 2016.
Vetëm aplikantët e përzgjedhur do të kontaktohen.
Shënim: Ky është një program pa pagesë që ofrohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri. REC mbulon të gjitha shpenzimet për aktivitetet e REC jashtë zyre apo jashtë qytetit.