Konkurs/ Pyet Gjysherit 2

Konkurs në multimedia (video ose/dhe audio kreative)

Motivimi

Pas edicionit të parë të konkursit “PYET GJYSHËRIT” 2016 që shpalli 7 fitues, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) hap sërish thirrjen për aplikime për edicionin e dytë të konkursit nga data 18 Shtator – 31 Tetor 2017.

Këtë vit konkursi “PYET GJYSHËRIT 2” do të ketë në fokus jo vetëm ngjarjet por edhe objektin që tregon një histori personale dhe synon t’ju ofrojë gjimnazistëve shqiptarë mundësinë të flasin përmes mjeteve kreative duke ndarë histori, përvoja, përjetime familjare, dhe duke ndihmuar në dialogun midis brezave.

Gjyshi është natyrisht një simbolikë, një sistem reference i brezave që jetuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Si pjesë e reflektimit kreativ mbi të shkuarën mund të shërbejnë rrëfimet e të afërmve më të moshuar, mësuesve, fqinjëve, të cilët janë dëshmitarë okularë të asaj kohe. Konkursi u jep kështu shansin gjimnazistëve shqiptarë të ballafaqohen me një periudhë të pajetuar prej tyre dhe emblematike për zhvillimin e vendit deri sot.

Të rinjtë ftohen të dërgojnë punimet e tyre në multimedia sepse interneti është vendi ku të rinjtë, brezi dixhital, shpenzojnë pothuajse pjesën më të madhe të kohës së tyre. IDMC ka menduar t’i motivojë ata në mënyrë kreative që të ndajnë përvojat e brezit të kaluar në mënyrë dixhitale (Digital Storytelling) duke kombinuar artin e të treguarit me një shumëllojshmëri mjetesh që ofron multimedia, si: tekst, imazh, grafikë, audio, video, muzikë etj.

Synimi i konkursit “Pyet Gjyshërit” është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i shoqërisë shqiptare për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, sepse pa njohur të shkuarën nuk ka të ardhme të sigurt.

Ky është konkursi i tretë kombëtar i organizuar nga IDMC pas “Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen” (2015) dhe “PYET GJYSHËRIT” (2016). Konkursi “PYET GJYSHËRIT 2” është një projekt nga IDMC në partneritet me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë “Rinia & Historia” (ALBNA) dhe mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer.

 Për më shumë informacion, klikoni në faqen zyrtare në këtë LINK

Share This:

Leave a Comment