Grante/ Thirrje për aplikime nga USAID

Projekti i USAID-it në Shqipëri “Drejtësi për të gjithë” fton Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC-të) të aplikojnë për:

Grantin “Nisma për të adresuar korrupsionin dhe transparencën në sektorin e drejtësisë ose institucione/shërbime të tjera publike”

Projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë” është një projekt pesëvjeçar (2016-2021), i cili ka synim të përmirësojë veprimtarinë e gjykatave shqiptare përmes zbatimit të standardeve gjyqësore gjithëpërfshirëse në drejtim të efikasitetit, transparencës, aksesit dhe përgjegjshmërisë. Gjithashtu, projekti i ofron ndihmë organizatave të shoqërisë civile, gazetarisë investigative dhe medias për të përforcuar rolin e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e reformës në drejtësi dhe si rojtarë të zbatimit të reformave.

Programi i USAID-it “Drejtësi për të gjithë” synon t’i ofrojë grante organizatave shqiptare të shoqërisë civile (OSHC-ve), që punojnë më vete ose në partneritet domethënës të krijuar me OSHC të tjera ose gazetarë investigativë , me qëllim promovimin e mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit. Nxitja e një bashkëpunimi më të gjerë ndërmjet OSHC-ve në rang gjeografik dhe tematik, si dhe e bashkëpunimit të tyre me gazetarinë investigative përbën çelësin për promovimin e ndërgjegjësimit qytetar dhe për të kërkuar ndryshime pozitive në sektorin e drejtësisë dhe në institucione apo shërbime të tjera publike. Projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë” pret aplikime kreative, novatore dhe bashkëpunuese, të cilat përmbajnë aktivitete që synojnë rritjen e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në sektorin e drejtësisë, si dhe aktivitete që ekspozojnë praktikat e këqija, shërbimet e paefektshme dhe shpërdorimin e detyrës në institucionet shtetërore, veçanërisht në sektorin e drejtësisë.

Projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë”planifikon të japë një sërë grantesh për projekte që shtrihen nga 3 deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj. Fondet e grantit mund të përdoren vetëm për aktivitetet që lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e projektit.

Grantet do të jepen sipas kategorive të mëposhtme:

Aktivitete të grantit të vogël: Deri në 10,000.00$
Aktivitete të grantit mesatar: 10,001.00$ deri në 25,000.00$
Aktivitete të grantit të madh: 25,001.00 $ e lart

Vetëm OSHC-të e regjistruara ligjërisht në Shqipëri kanë të drejtë të aplikojnë për këtë thirrje për aplikime. Secila nga organizatat aplikante duhet të përmbushë edhe kriteret e mëposhtme:

• Të ketë së paku një vit përvojë operacionale.
• Të ketë një strukturë qeverisëse që siguron rotacionin e duhur të udhëheqjes dhe delegimit të pushtetit, duke përfshirë të paktën një Bord Drejtues, një Kryetar dhe një Drejtor Ekzekutiv.
• Të ketë një sistem kontabiliteti transparent, i cili pajtohet me legjislacionin shqiptar dhe Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (IAS).
• Nuk duhet të jetë debitor dhe duhet të ketë shlyer çdo borxh ndaj shtetit, ose të ketë marrë masa për shlyerjen e plotë të borxhit para lëvrimit të parë të fondeve të grantit nga Projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë”
• Duhet të veprojë si një organizatë e pavarur dhe jo e lidhur politikisht;
• Nuk duhet të jetë e ndaluar, e pezulluar, e përjashtuar apo e cilësuar si e papërshtatshme për të përftuar fonde federale nga SHBA-ja;
• Nëpunësit civilë, të emëruarit politikë, anëtarët e parlamentit aktual, stafi i kompanive publike të transmetimit, dhe/ose drejtuesit e partive politike nuk mund të marrin pjesë në një projekt granti si drejtorë apo si pjesëmarrës që shpërblehen nga granti.

Projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë” do të pranojë vetëm propozimet e dorëzuara në gjuhën angleze.

Paketa e Aplikimit: Për të shkarkuar paketën e aplikimit, ju lutemi të shihni njoftimin në adresën www.ewmi.org. Përndryshe, ju lutemi të kontaktoni Projektin e USAID-it “Drejtësi për të gjithë” në adresën grants_icpp@ewmi.org për t’u pajisur me një formular aplikimi. Ju lutemi të përmendni referencën “RFA-JAG-2016-002” në kërkesën tuaj.

Aplikimet nuk do të pranohen pas datës 7 nëntor 2016, ora 17:00 sipas orës lokale në Tiranë. Aplikimet e dorëzuara me vonesë dhe ato të cilat nuk i përgjigjen kritereve të përcaktuara nuk do të shqyrtohen.

Propozimet: Aplikantët duhet të dërgojnë propozimet e tyre nëpërmjet e-mailit drejtuar Projektit të USAID-it “Drejtësi për të gjithë” në adresën grants_icpp@ewmi.org. Këto e-maile duhet të përmbajnë referencën “RFA-JAG-2016-002” si subjekt të tyre.

Përndryshe, aplikimet mund të dorëzohen brenda një zarfi të mbyllur në adresën e mëposhtme dhe brenda orarit normal të punës:
USAID Justice for All
Rr. Skënderbej, Pallati nr. 8, Shkalla 2, Apartamenti 823
Tiranë, Shqipëri

Leave a Comment