Cikël trajnimesh falas në Shqipëri

BËHU PJESË E CIKLIT TË TRAJNIMEVE
“FUQIZIMI I PROFESIONISTËVE TË RINJ SOCIALË MBI PUNËN NË KOMUNITET”
Organizata La Casa Nel Cuore prej muajit Qershor 2017 është duke zbatuar një program kombëtar të titulluar “Solidarietà per i Bambini Orfani in Albania/ Solidaritet për Fëmijët Jetim në Shqipëri”. Në kuadër të këtij projekti kanë si objektiv kryesor krijimin e një sistemi mbi Mbështetjen në Distancë për 2500 fëmijë jetim ose me një prind në të gjithë Shqipërinë si një praktikë të re solidariteti, për të lehtësuar jetën e fëmijëve duke i përfshirë ata në një model aktivitetesh dhe shërbimesh të krijuara për të përmirësuar cilësinë e jetës, duke u fokusuar kryesisht në përfshirjen e 2500 bizneseve lokale në mbështetje të kësaj praktike, për të siguruar një model vetë-financimi dhe bashkëpunimi të suksesshëm.
Përgjatë programit është parashikuar që studentë dhe profesionistë të rinj të shkencave sociale të angazhohen vullnetarisht për fuqizimin e këtyre fëmijëvë, nëpërmjet zhvillimit dhe funksionimit të këtij sistemi mbështetës në distancë.
Në kuadër të këtij programi organizata La Casa Nel Cuore në bashkëpunim me Nismën Rinia për Zhvillim – NRZH prej muajit Shtator do të zhvillojnë një Cikël Trajnimesh 3 mujor të titulluar “Fuqizimi i profesionistëve të rinj socialë mbi punën në komunitet”. Në këtë cikël trajnimesh do të trajtohen nga profesionistë të fushës një seri temash që lidhen drejtpërsëdrejti me punën e një profesionisti social në komunitet.
Për sa më sipër, ftohen të gjithë profesionistët e rinj dhe studentët që studiojnë për Punë Sociale, Psikologji dhe Sociologji të aplikojnë për tu bërë pjesë e këtij cikli trajnimesh, që do të ofrohet falas për 15 profesionistë të rinj dhe studentë të shkencave sociale.
Kursi i trajnimeve do të zhvillohet përgjatë muajve Shtator – Dhjetor 2017, çdo të shtunë ora 9.00, pranë zyrave të organizatës La Casa Nel Cuore.
Profesionistët e rinj dhe Studentët aplikantë duhet të plotësojnë këto kritere:
• Të jenë studentë në vitin e fundit Bachelor ose Master në Punë Sociale;
• Të dinë të paktën një gjuhë të huaj (Anglisht, Italisht);
• Të jenë aktiv dhe me dëshirë për të mësuar dhe ndarë eksperiencat me njëri-tjetrin;
• Të kenë iniciativë dhe kohën e nevojshme për të ndjekur sistematikisht Ciklin e Trajnimeve;
• Të jenë të gatshëm për tu përfshirë në aktivitetet e planifikuara në kuadër të programit “Solidaritet për fëmijët jetim në Shqipëri”.
Për të aplikuar në ciklin e trajnimeve “Fuqizimi i profesionistëve të rinj socialë mbi punën në komunitet”, jeni të lutur të dërgoni CV tuaj dhe një letër interesi brenda datës 10 Shtator 2017, në adresën e emailt: info@lacasanelcuore.org
Për më shumë informacion klikoni këtu